Kryeministri Edi Rama dha sot lajmin se deputetja e zgjedhur e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit, Najada Çomo, ka vendosur të dorëzojë mandatin e saj, për t’iu përkushtuar luftës ndaj virusit Covid-19 në Spitalin Infektiv.

“Jam i prekur nga komunikimi me Najada Çomon, ajo më kërkori para pak kohe të pranoja tërheqjen e saj nga roli i ri i deputetes duke ndjerë shumë të fortë detyrimin për të mos u ndarë nga ekipi i saj kur varianti Delta i virusit arriti të rimbushë shtretërit e pavionit të terapisë intensive”, tha Rama.

Në fjalën e tij përmbyllëse të mandatit të dytë qeverisës, kryeministri Edi Rama e nisi me dy sfidat e mëdha të këtij mandati, tërmetin tragjik të 26 nëntorit 2019 dhe pandeminë e koronavirusit, lufta ndaj të cilës vijon ende.

Teksa iu bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen sa më parë, kreu i qeverisë deklaroi se edhe këtë dimër virusin vrastar do ta kemi nëpër këmbë.

Pjesë nga fjala përmbyllëse e kryeministrit për mandatin e dytë qeverisës:

Duke ju falënderuar, dëshiroj t’iu drejtoj disa fjalë në sytë e opinionit publik. Mbyllet me një notë pozitive puna e një mandati tejet të vështirë, ku tërmeti e pandemia diktuan një forcë të pashembullt. Ja dolëm me përkushtim, profesionalizëm e durim të madh pjesës më të vështirë të këtyre dy sfidave ekstreme. Ende nuk ka mbaruar pandemia dhe nuk ka përfunduar rindërtimi, por ne kemi marrë një avantazh të kosniderueshëm. Përtej cdo konsiderate, kjo do të jetë një nga gjurmët e pashlyeshme të kësaj qeverie në historinë e këtyre 30 viteve. Garantimi i vaksinave ka bërë që goditja e valës së tretë të jetë e moderuar. Fatkeqësisht kemi ende fatalitete, disa jetë janë në rrezik serioz në Infektiv, por ato janë dhe një mësim domethënës për rëndësinë jetike të vaksinimit. Askush prej atyre që sot marrin frymëmarrje nga respiratorët nuk është i vaksinuar. Ndërkohë që disa të vaksinuar, ndër rreth 80 personat e shtruar në spital, nuk kanë shfaqin shenja të rënda intubimi.

Për skeptikët e vaksinës Sinovac, që kërkojnë Pfizer, vlen e dhëna se në grupin e të shtruarve në spital ndahen thuajse gjys për gjys të vaksinuar me Pfizer dhe Sinovac. Ndaj ju bëj thirrje të gjithëve të vaksinohen. Vaksina nuk i mbron të gjithë nga infektimi, por është e qartë se ajo përqindje e vogël e të vaksinuarve që preken nga virusi, e kalojnë pa kërcënim fatal të jetës. Teoritë e konspiracionit dhe frika nga vaksina e lënë njeriun të paarmatosur përballë këtij virusi, që sic duket, do ta kemi nëpër këmbë edhe këtë dimër. Vaksinën duhet ta bëjnë me patjetër edhe ata që e kanë kaluar Covid-in, sepse të gjitha studimet thonë se ka nuk ka imunitet afatgjatë ndaj këtij virusi vrastar. Pa skuadrat e një armate të tërë bluzash të bardha, që u përkushtuan me gatishmëri të lartë dhe sakrifcica të mëdha në mbrojtjen e popullit, pa ekspertët, pa angazhimin e strukturave të tjera shtetërore dhe mbështetjen masive të qytetarëve, Shqipëria nuk do ja kishte dalë të ishte sot ndër vendet e suksesshme në këtë përballje.



Shkruaj një koment

Prapa Para