Policia e Fierit jep detaje nga krimi në familje, i ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen “Sheq i Madh”, ku burri vrau me thikë gruan e tij, duke e raportuar ngjarjen si vetëvrasje.

Policia njofton se ka zbardhur dhe dokumentuar krimin, duke arrestuar bashkëshortin e viktimës, shtetasit Petrit Mamaj, i cili vrau me thikën e bukës 50-vjeçaren Valdete Mamaj.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se pas krimit, bashkëshorti i viktimës ka shkuar në lokal dhe ka ngrënë bukë, që ta shikonin të tjerët.

Kur është kthyer në banesë, ai ka thënë se e ka gjetur gruan të vrarë, duke njoftuar vëllanë e tij, i cili ka njoftuar edhe policinë. Por, siç raporton gazetarja Bezat, kur autori i krimit është pyetur nga policia për rrethanat, është bërë nervoz, duke ngjallur dyshime te policia, që nga ana e saj, ka zbuluar të vërtetën.

Njoftimi i policisë:


Pas një pune hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, Policia arreston shtetasin P. M.,si autor i dyshuar i vrasjes së bashkëshortes së tij.

Pas njoftimit të marë në sallën operative se në lagjen “Sheq i Madh”, Fier, në banesën e saj një shtetase është vetëvrarë, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Fier kanë vijuar punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Nga provat e grumbulluara, deklarimet e marra, këqyrjes së trupit të viktimës nga eksperti mjeko-ligjor dhe veprimet e mëtejshme hetimore të kryera nga grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorisë Fier, rezulton se shtetasi P. M., bashkëshorti i viktimës, për motive të dobëta ka goditur me thikë shtetasen V. M., e cila për pasojë ka gjetur vdekjen.

Në bazë të hetimeve të thelluara, i vendosur përballë provave të adminstruara, shtetasi P. M., ka pranuar autorësinë dhe motivin e ngjarjes.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, shtetasin P. M., 56 vjeç.

U sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës(thikë), me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Shkruaj një koment

Prapa Para